Nuk ka sundim të drejtësisë pa një gjyqësor të aftësuar



Sundimi i së drejtës realizohet përmes zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta si dhe me një pushtet gjyqsor të pavarur. Në dy komunat në jug të Serbisë, në Bujanoc dhe Preshevë, segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë kanë shumë mangësi. Sipas fjalëve të bartësve të autorizimeve dhe funksioneve publike, këto mangësi reflektohen negativisht në jetësimin e sundimit të së drejtës. Sepse mungesa e gjykatave, ekspoziturave të gjykatave dhe prokurorive ia pamundëson qytetarëve realizimin e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe sigurinë e tyre.



Nagip Arifi, kryetar i Partisë demokratike (PD) në Bujanoc, si defekt të shtetit në këtë drejtim e konsideron faktin se “sistemi i drejtësisë ka mjaftë mangësi, të cilat shpërfaqen gjatë realizimit të sundimit të drejtësisë në këtë komunë”.

– Reformat e fundit drejtësi, në nivel republikanë, janë ndërmarrë gjatë vitit 2010, mirëpo nuk kishin përfshirë të gjitha komunat në mënyrën dhe përmasat që ishte e nevojshme. Bujanoci është një ekzemplarë i kësaj mangësie, duke mbetur pa prokurori e as pa Gjykatë për kundërvajtje. Pas vërejtjeve tona ndaj këtij procesi, komnës tonë iu kthye vetëm Gjykata themelore – rikujton Arifi.



Sipas tij, Bujanoci është një mjedis multietnik dhe zonë kufitare, andaj mungesa e gjykatave, njësive gjyqësore dhe prokurorive është një hendikep i madhë për qytetarët e këtushëm.

– Për shkak të gjithë kësaj, mendoj se duhet të ketë dhe të funksionoj organi për kundërvajtje. Jam i sigurtë se vetëm kështu do të bëhej mirë si për qytetarët po ashtu edhe për shtetin, meqë me këtë rast do të kishim më shumë drejtësi e cila do të ishte sa më afër qytetarëve – përfundon Arifi.

Përfaqësuesi i bashkësisë etnike serbe Miodrag Millkoviq, zëvendës i kryetarit të Partisë së njësuar fshatare në këshillin lokal në Bujanoc, thekson se Ministria e drejtësisë “e ka gjymtuar sistemin e drejtësisë” andaj si pasojë e këtij gjymtimi “në skenë kemi një kaos absolut, ndërkohë që frytë i gjithë kësaj është mungesa e sundimit të së drejtës”.

– Gjykatësit një kohë qëndruan në shtëpi, ndërkohë që merrnin paga dhe grumbullohej numri i lëndëve. Aktualisht problemi kryesor i gjyqësorit është numri i madhë i lëndëve të pazgjidhura, problem ky i trashëguar nga periudha e zbatimit të reformës në drejtësi. E gjithë kjo ka lënë pasoja të tmerrshme të cilat duhet eliminuar patjetër dhe në afatin sa më të shkurtër kohor– thotë Millokoviq, përndryshe kryetar i Këshillit drejtues i Odës së veterinerëve të Serbisë.

Mjeku Skender Destani, kryetar i Bashkimit demokratik të Luginës (BDL) në Preshevë, thotë se “aspak nuk është i kënaqur me punën e institucioneve të drejtësisë në këtë komunë”.

– Kemi probleme shumë të mëdha për shkak të mungesës së Gjykatës themelore. Për fat të keq, ne nuk kemi një përgjigje të qartë sa i përket mbrojtjes adekuate të të drejtave të njeriut, meqë nuk kemi organe kompetente, përkatësisht nuk kemi gjykatë për të ndarë drejtësi – thekson Destani.

Nebojsha Arsiq, kryetar i Komunës së Medvegjës, mendon se sistemi i drejtësisë në këtë komunë ka një shtrirje të kënaqshme.

– Ka përmirësime të dukshme, veçmas viteve të fundit gjatë të cilave sistemi i këtushëm i drejtësisë po i afrohet sistemit europian. Në këtë kuptim, ka nevojë për një përditësim të shtuar në zgjidhjen më të shpejtë të lëndëve gjyqësore, veçmas në sferën e kontesteve, meqë në disa raste ato kanë tejkaluar të gjitha afatet instruktive brenda të cilave duhet të zgjidhen në procedurën e shkallës së parë si dhe në procedurat e realizimit të mjeteve të rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike – sqaron Arsiq.

Florim Sahiti, zëvendës i kryetarit të Komunës së Medvegjës, thotë se “sundimi i së drejtës përkon me themelin e të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, të cilat i gëzojnë qytetarët e kësaj komune në kuadër të sistemit të drejtësisë”.

– Ne e kemi vetëm Gjykatën për kundërvajtje dhe ky institucion i drejtësisë e kryen punën e vet me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin – thotë Sahiti.

Sipas Sahitit, në mesin e punonjësve ka edhe përkthyes, me qëllim që gjatë ndarjes së drejtësisë secilit qytetar t’i mundësohet deklarimi në gjuhën e vet amëtare.

– Meqë ne jemi një komunë me pakë banorë është, vlerësuar se edhe nuk kemi ndonjë nevojë të madhe për gjykatë themelore – konstaton në fund Sahiti.

J. Ristiq

Pratite InfoVranjske.rs i na Facebook stranici portala.



  • Ostavi komentar