Integrimet po frenohen si nga serbët po ashtu dhe shqiptarët



Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në sistemin e drejtësisë në masën në të cilën do të duhej të ishin në përpjestim me numrin e banorëve. Kjo mund të përfundohet nga deklaratat e bashkëbiseduesve të InfoVranjskes dhe të dhënave nga gjykatat dhe prokuroritë e komunave në jug të Serbisë.



Fatmir Hasani, deputet popullor dhe nënkryetar i Partisë për veprim dekoratik (PVD), konsideron se në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë ekziston mungesë e kuadrove të përkatësisë shqiptare. Fajin për këtë gjendje e sheh në Qeverinë e Serbisë.

– Nuk ka numër të mjaftueshëm të shqiptarëve. Kuadrot tona janë të kualifikuar, e kanë të dhënë provimin shtetëror të jurisprudencës dhe posedojnë përvojën e duhur. Mirëpo edhe krahas gjithë kësaj, nuk kemi numër të mjaftueshëm në organet e drejtësisë, para së gjithash gjykatës. Na mungojnë edhe përkthyesit – interpret gjyqësor dhe procesverbalmbajtës – thotë Hasani.



Në dokumentin të cilin e ka nënshkruar Goran Antiq, gjyqtar i autorizuar për komunikim me media, thuhet se në Gjykatën themelore në Bujanoc janë 60 punonjës, prej tyre 38 serbë, 20 shqiptarë, ndërkaq ka edhe dy të punësuar nga nacionaliteti rom. Prej 11 gjyqtarëve, tetë janë serb ndërsa tre prej tyre janë shqiptarë.

Hasani thotë se ky nuk është “baraspeshim i duhur”.

– Kryetari i gjykatës do të duhej të ishte shqiptar, meqë shqiptarët e përbëjnë mbi 60 përqind të banorëve të komunës së Bujanocit. Serbët janë pakicë në këtë komunë, ndërkohë, përkundër kësaj, të dhënat flasin se ata janë më të përfaqësuar – thekson Hasani

Ai shton se hapi i parë drejtë ndryshimit të gjendjes në këtë drejtim është ndërmarrë nga ana e PVD-ës.

– Nga 3 qershori 2016, nga koha kur ka filluar të funksionoj përbërja e re e Kuvendit të Serbisë, kemi qenë të interesuar dhe kemi propozoruar që shqiptarët të jenë pjesë e shumicës parlamentare. Mirëpo Qeveria e Serbisë nuk po shpreh vullnet të mirë që shqiptarëve të iu jep më shumë të drejta dhe një përfaqësim më të madhë në organet e drejtësisë në Luginën e Preshevës dhe përgjithësisht në kuptim të integrimeve – thotë Hasani.

Përveç se në Bujanoc,vetëm se edhe në Preshevë deri diku është përafruar raporti i serbëve dhe shqiptarëve, në mesin e të punësuarëve në gjykatat dhe prokuroritë në jug të Serbisë. Në Gjykatën për kundërvajtje në Preshevë gjithsejtë janë të punësuar 16 persona – shtatë serb dhe nëntë shqiptarë. Prej tre gjykatësve, dy janë të përkatësisë nacionale shqiptare.

Në Prokurorinë themelore në Vlladiçin Han, e cila nganjëherë i mbulon edhe nevojat e Preshevës ose Bujanocit, janë të punësuar 6 persona dhe të gjithë janë me përkatësi nacionale serbe, deri sa në Prokurorinë e lartë në Vranjë, e cila gjithashtu është kompetente për komunat Preshevë dhe Bujanoc, janë të punësuar 21 punonjës dhe të gjithë janë serb. Në Gjykatën e lartë në Vranjë, të 36-të të punësuarit aty janë të përkatësisë nacionale serbe, ndërsa në këtë gjykatë gjithashtu drejtësia iu ndahet edhe pjesëtarëve të pakicës nacionale shqiptare.

Stojança Arsiq, zëvendës i kryetarit të Komunës së Bujanocit, thotë se mendimi i tij nuk ka ndryshuar, dhe se ai “në vazhdimësi e ka përkrahur integrimin e shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore”, pra edhe në ato të drejtësisë. Arsiq insiston se kualiteti në punën e organeve të drejtësisë është i “domosdoshëm”, mirëpo gjithashtu “edhe përfaqësimi proporcional sipas numrit të banorëve”.

– Kjo, megjithatë, nuk nënkupton privilegj, por përgjegjësi të pjesëtarëve të pakicës nacionale shqiptare. Organeve republikane iu mbetet që të përpiqen që kjo përgjegjësi të demonstrohet në teren. Sa i përket vetadministrimit lokal, në Bujanoc kemi një marrëveshje të nënshkruar dhe jemi duke bërë përmirësimin gradual të gjendjes sa i përket integrimit. Procesi i integrimit të shqiptarëve në strukturat shtetërore nuk mund të realizohet brenda natës – sqaron Arsiq.

Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë demokratike shqiptare (PDSH), mendon ndryshe nga Arsiqi, duke konsideruar se shqiptarët janë inferior në krahasim me serbët, nga aspekti i punësimit në organet e drejtësisë.

– Në gjykatat dhe prokuroritë në jug të Serbisë nuk ka numër të mjaftueshëm punonjësish shqiptarë që do t’i mundësonte shqiptarëve një trajtim të barabartë. Ky numër as për së afërmi nuk është me numrin e domosdoshëm, meqë bazuar në strukturën demografike rreth 90 përqind e kuadrove në prokurori dhe gjykata do të duhej të ishin shqiptarë – thekson Mustafa.

Sipas ilustrimit të gjendjes nga ana e Mustafës, shqiptarët në Preshevë e përbëjnë 95 përqind të banorëve, “ndërkohë që shteti po e injoron këtë fakt”.

– Nuk ka ndonjë sinjal të qartë i cili shqiptarëve do t’iu jepte shpresë për ndonjë ndryshim të shpejtë të gjendjes në këtë drejtim. Serbia po sillet sikur që kjo gjendje po i shkon për shtati – konkludon Mustafa.

Sipas të dhënave nga viti 2003, të cilat janë nxjerrë nga regjistrimi i vitit 2002, në Gjykatën komunale në Preshevë atëbotë ishin të punësuar 17 shqiptarë, 24 serbë dhe 4 romë. Në Bujanoc, në gjykatën e të njëjtit nivel, punonin 13 shqiptarë, 36 serbë dhe një rom.

Sipas të dhënave nga i njëjti regjistrim, në Prokurorinë publike themelore në Bujanoc ishin të punësuar gjithsejtë 10 persona (nëntë serbë dhe një shqiptar), ndërkaq në Prokurorinë publike komunale në Preshevë ishin gjithsejtë tetë të punësuar (pesë serbë dhe tre shqiptarë).

Sipas të dhënave nga regjistrimi i vitit 2002, në gjykatat për kundërvajtje në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë punuar gjithsejtë 38 persona, prej të cilëve nëntëmbëdhjetë ishin shqiptarë, ndërsa njëzet e gjashtë ishin pjesëtar të nacionalitetit serb. Mirëpo fakti se në këto komuna nuk ka regjistrim të popullsisë që nga viti 2002, për shkak të bojkotit të regjistrimit të vitit 2011 nga ana e shqiptarëve, sipas asaj që thonë politikanët serbë, paraqitet si çështje e kontestimeve kryesore.

Shefi i Trupit bashkërendues qeveritar për jugun e Serbisë, Zoran Stankoviq, në shumë paraqitje të tij ka shprehur qëndrimin se “regjistrimi ishte planifikuar në atë hapësirë me qëllim që në bazë të numrit të banorëve të regjistruar të hartohej edhe politika shtetërore për këtë trevë” në fusha të ndryshme, pra edhe në atë të drejtësisë.

– Shqiptarët i kanë bërë opstruksione regjistrimit, andaj ne nuk kemi të dhënat e vërteta në bazë të të cilave do të mund t’i zgjidhim problemet ekzistuese. Pa të dhëna të sakta, ne nuk mundë të reagojmë në mënyrën më të duhur – është qëndrim i Stankoviqit.

Politikani serb Stojança Arsiq, thekson se serbët që nga fillimi e kanë përkrahur procesin e integrimit të shqiptarëve në të gjitha fushat, pra edhe në gjyqësi.

– Mirëpo, disa prej liderëve shqiptarë po e keqpërdorin këtë mbështetje për qëllime të politikës ditore, me konstatimet e tyre arbitrare se shteti i Serbisë nuk ka bërë asgjë për ta – konkludon Arsiq.

D. Pešić

Pratite InfoVranjske.rs i na Facebook stranici portala.



  • Ostavi komentar