Efikasiteti në nivel, mungojnë gjykatat



Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, tri komuna me përbërje të përzier nacionale të cilat, sipas vlerësimit të banorëve nga korriku i vitit 2015, së bashku i kanë 75.342 banorë, pas reformës në drejtësi nga viti 2010, kanë fituar vetëm tri institucione të drejtësisë: në Bujanoc gjykatën themelore, në Preshvë gjykatën për kundravajtje dhe në Medvegjë ekspoziturën e Gjykatës për kundravajtje.

Pas një „ndarjeje të tillë të drejtësisë“, kryetari i tanishëm i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, tha se mungesa e vullnetit politikë është shkaku kryesor i integrimit të ngadaltë të shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore që nga përfundimi i konflikteve të armatosura në këtë regjion në vitin 2001 e deri më sot, ndërkohë që këtë e argumentonte me shembullin e sektorit të drejtësisë.



– Në Komunën e Preshevës nuk ka asnjë gjykatë përveç organit për kundëvajtje, andaj, për pasojë, qytetarët janë të detyruar që në kërkim të drejtësisë të bëjnë 30 kilometra rrugë deri në Bujanoc, ose edhe më largë, në qendrën e qarkut në Vranjë, që ka 50 kilometra nga Presheva. Ata janë të detyruar ta bëjnë këtë rrugë për ta marrë një vërtetim ose një dokument më të rëndomtë gjyqësor – thotë Kamberi.

Ai thekson se për shkak të moszbatimit të Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës amëtare dhe të numrit të pamjaftueshëm të zyrtarëve gjyqësor nga radhët e shqiptarëve, këtyre të fundit iu është pamundësuar e drejta për gjykim fer dhe të ndershëm në gjuhën amëtare, që është edhe njëri nga shkaqet e mosbesimit të tyre ndaj shtetit dhe institucioneve të tij.

Kryetari i Gjykatës themelore në Bujanoc, Bojan Millenkoviq, thotë se falë organizimit të mirë të punëve, tetë gjyqtarë serb dhe tre shqiptar, po ia dalin mbanë t’i përgjigjen të gjitha kërkesave që qytetarët ia parashtrojnë kësaj gjykate ndërsa këtë e plotëson edhe me të dhëna konkrete.

– Për numrin e përgjithshëm të lëndëve të zgjidhura në krahasim me vitin e kaluar, në kategorinë pej 120 gjykatave në Serbi, Gjykata themelore në Bujanoc ka zënë vendin e tretë. Kjo mirënjohje na është ndarë nga Këshilli i lartë gjyqësor, në këshillimin vjetor të drejtësisë serbe në Vërnjaçka Banjë, në tetor të këtij viti – ka precizuar Miullenkoviq, i cili është në ballë të këtij institucioni nga qershori i 2014-ës.

Ai shton se para gjykatësve bujanocas janë vetëm kolegët e tyre nga Gjykata ekonomike në Beograd dhe Gjykata themelore në Llazarevac.

– Aktualisht ne i kemi 8.582 lëndë nga të gjitha materiet që shqyrtohen këtu. Mirëpo, ajo që mund ta theksoj me kënaqësi është e dhëna se ne nuk kemi asnjë lëndë më të vjetër se pesë vite – thekson Millenkoviq duke rikujtuar se në drejtësinë serbe aktualisht ka shumë gjykata në të cilat ka lëndë të pranuara para 10, 15 dhe 20 vitesh.

Në vazhdim bashkëbiseduesi ynë na tha se Gjykata themelore në Bujanoc është e para në Qarkun e Pçinjës që ka filluar me aplikimin e „tabelës elektronike“, me të cilën palëve dhe të punësuarëve iu shfaqen nga minuti në minutë të gjitha të dhënat për shqyrtimet gjyqësore, ambienti ku mbahen ato, gjykatësit dhe të dhënat e tjera relevante.

Pas reformës në drejtësi të 2010-ës, më së shumti pluhur në Serbi kanë ngritur përfaqësuesit e vetadministratave lokale dhe liderët e partive politike shqiptare në Preshevë. Deputeti i atëhershëm në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, dhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, nuk zgjidhnin fjalët në ballafaqimin e ashpër me përfaqësuesit e institucioneve politike dhe të drejtësisë në Serbi.

– Ajo që aktualisht po ndodhë në drejtësi, është jashtë logjikës së shëndoshë. Apsolutisht nuk arrij t’i kuptoj ligjëdhënësit të cilat kanë votuar për heqjen e gjykatës në Preshevë, gjë e cila do të sjellë deri te ajo që të drejtën tonë ta mbrojmë me protesta – kishte paralajmëruar Riza Halimi.

Në të vërtetë, nga të gjitha institucionet gjyqësore Preshevës i ka mbetur vetëm Gjykata për kundërvajtje. Në krye të kësaj gjykate është gjykatësi me përvojë shumëvjeçare Burhanedin Shaipi (1958), i cili thotë se ky institucion është i stërmbushur me lëndë, megjithatë tre gjkatës, përkatësisht 19 të punësuar, po ia dalin t’i përgjigjen shumicës së detyrave të parashtruara.

– Aktualisht ne në Gjykatën për kundërvajtje i kemi gjithësejtë 1.075 lëndë në procedurë. Këtu hyjnë lëndët e pranuara nga 01 deri më 30 shtator të 2017-ës, si dhe 313 lëndë të bartura nga viti 2016. Mirëpo gëzon fakti se nga fillimi i këtij viti e deri më tani i kemi zgjidhur 809 lëndë, fakt ky që më së miri flet për punën tonë – thotë Shaipi.

Ky Gjykatës shton se nuk është aspak lehtë të punohet në një mjedis me përbërje të përzier nacionale dhe me një nivel skajshmërisht të ulët të zhvillimit, mirëpo ne megjithatë po i rrespektojmë standardet, si dhe kërkesat e parashtruara në rrugën europiane të Serbisë.

Në krye të ekspoziturës së Gjykatë për kundërvajtje në Medvegjë është gjyqtarja me përvojë Snezhana Radojeviq. Thotë se ka tepër shumë punë dhe se i vie keq që ekipi i saj prej pesë anëtarësh nuk shpërblehet sa duhet për punën që bënë. Ajo shton se institucioni me të cilin udhëheq aktualisht nuk ka probleme as me efikasitetin e as me transparencën.

– Më besoni se ne punojmë si xehetarë. Edhe pse ka tepër shumë punë megjithatë ne nuk mund të ndikojmë në nurmin e lëndëve të parashtruara, por mundemi dhe duhet patjetër të ndikojmë në numrin e lëndëve të zgjidhura. Për numrin e lëndëve nga këto dy kategori mund të informoheni nga noteria e Gjykatës për kundërvajtje në Leskoc – thotë Radojeviq.

Ndërsa në Leskoc kanë vetëm fjalë miradie për kolegët e tyre në Medvegjë. Shefi i Noterisë Zllatko Keniq fillimisht na tregon se në adresën e Gjykatës për kundërvajtje në Medvegjë për periudhën nga 01 janari e deri më 30 shtator, pra për nëntë muaj të këtij viti, kanë arritur 925 lëndë, prej të cilave 633 lëndë janë zgjidhur.

– E dhëna se në ekspoziturën e Gjykatës për kundërvajtje në Medvegjë janë vetëm 292 lëndë të pazgjidhura, fletë se kemi të bëjmë me një ekip i cili punën e vet e bënë me mjaftë sukses – konstaton Keniq.

Të shtojmë në fund se Ekpozitura e Gjykatës për kundërvajtje në Medvegjë është hapur më 01. Janar 2010, kur edhe kishte përfunduar procedura e reformimit të drejtësisë serbe.

R. Irić

VLERËSIMI I NUMRIT TË BANORËVE

Pasi që me iniciativë të liderëve të tyre politikë, shqiptarët kishin bojkotuar regjistrimin e popullësisë në Serbi në mars të vitit 2011, në qershor të vitit 2015 është bërë vlerësimi i numrit të popullësisë në këto tri komuna. Në bazë të standardeve të verifikuara ndërkombëtare, këtë vlerësim së bashku e kanë bërë ekspertë të OSBE-së, ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe si dhe ekspertët e Entit republikanë statistikor të Serbisë. Sipas atij vlerësimi, në mars të 2011-ës, Komuna e Bujanocit kishte 38.300, Presheva 29.600 ndërsa Medvegja 7.442 banorë.
Përbërja e popullësisë sipas përkatësisë nacionale është si më poshtë:

………………………………………………………………………

POPULLËSIA BUJ. PRE. MED. GJITHËSEJTË

………………………………………………………………………

Serb 12.989 2.294 6.429 21.712

% 33,91 7,75 86,39 28,83

Shqiptarë 20.735 27.035 868 48.638

% 54,14 91,33 11,66 64,56

Romë 4.576 271 145 4.992

% 11,95 0,92 1,95 6,36

Gjithësejtë 38.300 29.600 7.442 75.342

………………………………………………………………………

Pratite InfoVranjske.rs i na Facebook stranici portala.



  • Ostavi komentar